Evropa këtë vit ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve të sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat, si virusi Çikungunja dhe virusi i Nilit Perëndimor – një situatë që sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) po bëhet “normalitet i ri” si pasojë e ndryshimeve klimatike. Temperaturat më të larta, verat më të gjata dhe dimrat më të butë po krijojnë kushte ideale për përhapjen e mushkonjave në kontinent.
Sipas ECDC-së, mushkonja që transmeton virusin Çikungunja tashmë është përhapur në 16 shtete evropiane dhe 369 rajone, ndërsa dhjetë vite më parë ishte e pranishme vetëm në 114. Në vitin 2025 janë raportuar 27 raste të Çikungunjas, si dhe 335 raste të virusit të Nilit Perëndimor me 19 viktima, kryesisht në Itali. Autoritetet theksojnë se parandalimi është thelbësor dhe rekomandojnë masa mbrojtëse si veshje me mëngë të gjata dhe instalimi i rrjetave kundër mushkonjave.