Qëndrimi ulur për më shumë se 30 minuta pa lëvizur lidhet me një rrezik më të lartë të vdekjes nga kanceri, ndërsa edhe aktiviteti i lehtë fizik mund ta zvogëlojë ndjeshëm këtë rrezik. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga shkencëtarët e Universitetit të Glasgout dhe të publikuar në revistën PLOS Medicine.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 91.000 pjesëmarrësve nga baza britanike UK Biobank, të cilët mbanin pajisje për monitorimin e aktivitetit fizik dhe u ndoqën mesatarisht për 12 vjet.
Rezultatet treguan se çdo periudhë e pandërprerë ulur për më shumë se 30 minuta shoqërohej me rritje të rrezikut të vdekjes nga kanceri. Për më tepër, çdo orë shtesë e kaluar në këtë mënyrë gjatë ditës e rriste rrezikun me rreth 10 për qind.
Sipas studiuesve, zëvendësimi i kohës së kaluar ulur me aktivitet fizik mund ta ulë këtë rrezik me më shumë se 20 për qind. Një orë aktivitet i lehtë në ditë, si ecja e ngadaltë ose kryerja e punëve të shtëpisë, u shoqërua me një rrezik 12 për qind më të ulët të vdekjes nga kanceri.
Po ashtu, zëvendësimi i 30 minutave ulur me aktivitet fizik të moderuar, si ecja me ritëm normal, lidhej me një ulje prej 8 për qind të rrezikut, ndërsa vetëm pesë minuta aktivitet intensiv në vend të pesë minutave qëndrimi ulur u shoqëruan me një ulje prej 22 për qind.
Udhëheqësi i studimit, Frederick Ho, theksoi se ulja e pandërprerë për më shumë se gjysmë ore është veçanërisht e dëmshme dhe se edhe një shëtitje e shkurtër mund të ketë efekt mbrojtës për shëndetin.
Autorët e studimit shtojnë se kërkimet e ardhshme do të ndihmojnë në hartimin e rekomandimeve më të personalizuara për ndërprerjen e periudhave të gjata të qëndrimit ulur dhe uljen e rrezikut nga kanceri.


