Dakota Johnson është shfaqur për herë të parë në rolin e legjendës së Hollywood-it, Marilyn Monroe, dhe transformimi i saj ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut.
Fotografitë e publikuara nga Vanity Fair tregojnë aktoren 36-vjeçare pothuajse të panjohshme, falë një parukeje bionde të shkurtër, grimit karakteristik dhe nishanit ikonik të Marilyn Monroe.
Johnson luan rolin kryesor në “Flesh Impact”, një film i shkurtër 17-minutësh me regji dhe skenar të Maggie Gyllenhaal. Filmi do të ketë premierën në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator 2026, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Marilyn Monroe.
Në film luajnë edhe Ellen Burstyn, e cila interpreton një version imagjinar të Monroe në moshë të thyer, si dhe Peter Sarsgaard dhe Sepideh Moafi. Sipas përshkrimit zyrtar, historia ndjek një grua misterioze që paraqitet në një audicion në një teatër eksperimental në Nju Jork, ndërsa gjatë rrëfimit të saj zbulohen sekrete për identitetin dhe jetën e saj.
Maggie Gyllenhaal ka treguar se që në fillim e kishte menduar Dakota Johnson për këtë rol, megjithëse fillimisht kishte dyshime për ngjashmërinë fizike me Marilyn Monroe.
“Nuk jam e sigurt që sot dikush e di me të vërtetë se si dukej Marilyn. Ajo është shndërruar në një mit dhe një ikonë, prandaj pamja e saj është bërë disi e paqartë në imagjinatën tonë,” është shprehur regjisorja.
Sipas saj, “Flesh Impact” nuk është vetëm një film për Marilyn Monroe, por edhe një reflektim mbi jetën e aktoreve, brishtësinë dhe fuqinë që sjell profesioni i tyre.


