Ndërsa shumica e regjisorëve dhe producentëve do ta konsideronin një privilegj bashkëpunimin me Angelina Jolie, producenti Scott Rudin reagoi krejt ndryshe ndaj idesë së përfshirjes së saj në projektin e shumëdiskutuar “Cleopatra”. Filmi, i planifikuar me Jolie në rolin kryesor dhe David Fincher në regji, hasi në kundërshtimin e tij pasi emailat e rrjedhur zbuluan pakënaqësinë e thellë ndaj mënyrës se si aktorja po ndërhynte në projekt. Sipas raportimeve, Jolie kishte tentuar të bindte Fincher të shtynte punën për filmin “Steve Jobs” derisa ajo të përfundonte debutimin e saj si regjisore, gjë që e irritoi rëndë producentin.
Në komunikimet me kolegë, Rudin e kritikoi ashpër Jolie-n, duke e akuzuar se po përpiqej të merrte kontrollin mbi projektin dhe se po e shtynte produksionin pa arsye të forta. Ai madje vuri në dyshim nëse “Cleopatra” duhej realizuar fare, duke e cilësuar projektin shumë të kushtueshëm dhe të rrezikshëm. Në fund, si Angelina Jolie ashtu edhe David Fincher u tërhoqën nga filmi, duke e lënë projektin pezull edhe më gjatë.


