Me ardhjen e verës, shumë njerëz vënë re se njollat e vogla në lëkurë, të njohura si freckles (njolla nga dielli), bëhen më të errëta dhe më të dukshme. Këto njolla janë të padëmshme dhe krijohen si rezultat i rritjes së prodhimit të melaninës, pigmentit që i jep ngjyrë lëkurës dhe flokëve.
Sipas mjekut britanik Sermed Mezher, njollat e zakonshme, të njohura si efelide, shfaqen kryesisht tek personat me lëkurë të çelët dhe flokë të kuq ose biondë, ndërsa zhvillohen që në fëmijëri. Edhe pse ekspozimi në diell i bën më të dukshme, faktori kryesor është gjenetika.
Mjeku shpjegon se një variant i gjenit MC1R bën që melanina të grumbullohet në pika të vogla, në vend që të shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme në lëkurë. Si pasojë, kur lëkura ekspozohet në diell, këto zona errësohen më shumë, ndërsa gjatë dimrit zakonisht zbehen.
Megjithëse njollat nuk mund të zhduken plotësisht, pamja e tyre mund të zbutet me kremra, trajtime me lazer ose krioterapi, gjithmonë pas konsultimit me një dermatolog.
Specialistët rekomandojnë që mënyra më e mirë për të parandaluar errësimin e tyre është mbrojtja nga rrezet e diellit, duke përdorur krem me faktor mbrojtës SPF 30 ose më të lartë, si edhe duke shmangur ekspozimin në orët kur rrezatimi UV është më i fortë.


