Administrata e Donald Trump po thërret këtë javë një takim të madh me BE-në dhe vende të tjera mbi “mineralet kryesore”, materiale pa të cilat teknologjia moderne, energjia e gjelbër dhe industria ushtarake nuk funksionojnë dot. Kjo kategori përfshin litiumin, kobaltin, nikelin, manganin, grafitin dhe sidomos mineralet e rralla të tokës, të cilat kontrollohen kryesisht nga Kina. Kërkesa globale është rritur me 77% në vetëm pesë vjet dhe vlera më e madhe lidhet me katër elementë magnetikë: neodim, praseodim, disprosium dhe terbium. Këta elementë përdoren për magnetë super të fuqishëm, të domosdoshëm për turbinat me erë, avionët luftarakë, telefonat inteligjentë dhe motorët elektrikë.
Roli i këtyre mineraleve është jetik: një turbinë e vetme eolike në det kërkon deri në një ton magnetë të tillë; çdo avion F-35 ka rreth 400 kg minerale të rralla; një telefon inteligjent përmban tre gramë, ndërsa motori i një makine elektrike deri në 3.5 kg. Ato përdoren gjithashtu në rafinimin e naftës, lustrimin e xhamit dhe prodhimin e lazerëve industrialë e mjekësorë. Për shkak të varësisë së thellë globale dhe dominimit kinez në prodhim, SHBA dhe aleatët po kërkojnë të sigurojnë furnizime alternative, duke e kthyer këtë takim në një çështje strategjike të energjisë, ekonomisë dhe sigurisë kombëtare.


