Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj gazetares ruse Ksenia Fedorova, ish-drejtuese e kanalit RT France, duke e akuzuar për përhapjen e narrativave pro ruse dhe manipulimin e informacionit lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas BE-së, Fedorova e ka paraqitur mbështetjen perëndimore për Ukrainën si faktor që zgjat luftën, ndërsa Rusinë si një vend që kërkon paqe. Ajo akuzohet gjithashtu se ka vënë në dyshim faktet për deportimin e fëmijëve ukrainas dhe ka paraqitur politikat e BE-së dhe NATO-s si kërcënim për sigurinë evropiane.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurisë së saj dhe ndalimin që qytetarët apo kompanitë e BE-së t’i ofrojnë fonde. Franca dhe Gjermania ia kishin ndaluar tashmë hyrjen, ndërsa autoritetet franceze e kishin urdhëruar edhe dëbimin e saj nga vendi.


