Producenti i njohur Ian Kirkpatrick, i cili ka bashkëpunuar me emra si Dua Lipa, Sabrina Carpenter dhe Selena Gomez, ka bërë një deklaratë surprizuese duke pranuar se AutoTune ka qenë një nga faktorët kryesorë të suksesit të tij.
“Nëse nuk do ta kisha AutoTune, ndoshta nuk do të kisha karrierë. Me siguri do të kisha edhe më pak hite”, tha ai në një intervistë për kompaninë Antares, krijuesen e softuerit të famshëm për korrigjimin e intonacionit.
Sipas Kirkpatrick, AutoTune nuk përdoret vetëm për të përmirësuar zërin, por edhe për të kursyer kohë gjatë regjistrimeve dhe për të ulur presionin mbi artistët. Ai zbuloi se kënga “Pretty Please” nga albumi “Future Nostalgia” i Dua Lipës u publikua me vokalin demo të regjistruar ditën kur u shkrua kënga.
“Vokali që dëgjoni në këngë është ai që regjistruam atë ditë me një mikrofon Shure SM7, në divan dhe me AutoTune në kohë reale. Nuk e regjistruam më kurrë ai version mbeti në këngën përfundimtare”, tregoi producenti.
Ai shtoi se AutoTune i lejon të ruajë interpretimet më natyrale dhe emocionale, edhe kur intonacioni nuk është perfekt, duke shmangur nevojën për regjistrime të reja që mund të humbin spontanitetin e performancës.


