Nëse jeni në kërkim të ushqimeve të shëndetshme për mesvakte, ekspertët rekomandojnë frutat arrore si një burim të fuqishëm ushqyes që mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Sipas një studimi të Harvard Health, konsumimi i frutave arrore disa herë në javë mund të ulë rrezikun e sulmit në zemër dhe sëmundjeve të zemrës deri në 50%.
Frutat arrore janë të pasur me yndyra të pangopura, të cilat ulin nivelin e kolesterolit të “keq” (LDL) dhe rrisin atë të “mirë” (HDL). Arrat janë veçanërisht të dobishme pasi përmbajnë acide yndyrore omega-3, të njohura për aftësinë e tyre për të parandaluar ritmin e çrregullt të zemrës.
Përfitimet shëndetësore të konsumimit të arrorëve
Studimet tregojnë se konsumimi i frutave arrore pesë herë në javë shoqërohen me:
· 14% më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare,
· 20% më pak rrezik për sëmundje koronare të zemrës,
· Deri në 34% më pak gjasa për të vdekur nga sëmundjet e zemrës,
· 31% më pak rrezik për vdekje të parakohshme nga çfarëdo shkaku.
Cilat janë frutat arrore më të mira për shëndetin e zemrës?
Të gjitha frutat arrore, përfshirë bajamet, arrat, lajthitë, fëstëkët dhe arrat indiane, ofrojnë përfitime unike shëndetësore. Edhe kikiriku, që teknikisht është bishtajore, ka efekte të ngjashme pozitive. Harvard rekomandon konsumimin e rreth 28 gramë fruta arrore në ditë, që përkon me një grusht të vogël.
Frutat arrore përmbajnë argininë, një aminoacid që relakson enët e gjakut dhe përmirëson qarkullimin, si dhe vitamina E dhe B9, kalium, fibra dhe lëndë të tjera ushqyese esenciale.
Si të përfshini frutat arrore në dietën tuaj?
· Zëvendësoni ushqimet e pashëndetshme, si patatinat, me një grusht fruta arrore.
· Shtojini në sallata për një shije dhe teksturë më të pasur.
· Përdorini si zëvendësues të mishit në gatime të ndryshme
Megjithatë, duhet të kini kujdes me kaloritë. Për shembull, 28 gramë arra përmbajnë rreth 185 kalori, ndaj është e rëndësishme t’i përfshini në një dietë të balancuar për të shmangur shtimin e peshës, i cili mund të kundërshtojë përfitimet e tyre shëndetësore.
Shenjat e problemeve të zemrës që nuk duhen injoruar
· Dhimbje në kraharor: Ndjenja e presionit ose rëndimit mund të tregojë probleme të zemrës.
· Ënjtje e këmbëve apo këmbalecëve: Mund të jetë një shenjë e insuficiencës kardiake.
· Vështirësi në frymëmarrje: Gjatë pushimit, aktivitetit fizik ose kur shtriheni.
· Rrahje të parregullta të zemrës: Ndjenja e pulsit të shpejtë ose të çrregullt.
· Lodhje e papritur: Mungesë energjie gjatë aktiviteteve të përditshme.
· Të përziera dhe dhimbje stomaku: Simptoma të mundshme të sulmit në zemër, veçanërisht tek gratë.
· Djersitje e papritur: Sidomos nëse shoqërohet me dhimbje në kraharor, nofull ose krah.
Frutat arrore janë vetëm një pjesë e enigmës për një zemër të shëndetshme. Aktiviteti fizik i rregullt, një dietë e ekuilibruar, lënia e duhanit, reduktimi i konsumit të alkoolit dhe shmangia e ushqimeve të përpunuara janë faktorë kyç për një shëndet optimal të zemrës.