Aktorja spanjolle Penélope Cruz ka folur rrallë për martesën e saj me Javier Bardem, duke pranuar se edhe pas më shumë se 15 vitesh martesë, vazhdon të mësojë gjëra të reja për partnerin e saj.
Në një intervistë për People, Cruz u shpreh se një marrëdhënie nuk ndalet kurrë së evoluari, pasi njerëzit ndryshojnë vazhdimisht.
“Ende po mësoj. Jam me dikë që e njoh prej 33 vitesh, por asnjëherë nuk e njeh plotësisht as veten. E njëjta gjë vlen edhe për partnerin,” tha aktorja.
Penélope Cruz dhe Javier Bardem u njohën në vitin 1992 gjatë xhirimeve të filmit Jamón Jamón, por lidhja e tyre romantike nisi vetëm në vitin 2008, kur u ribashkuan në xhirimet e filmit Vicky Cristina Barcelona. Ata u martuan në një ceremoni private në Bahamas në vitin 2010 dhe kanë dy fëmijë, Leo dhe Luna.
Edhe pse janë një nga çiftet më të famshme të Hollivudit, Cruz dhe Bardem njihen për faktin se e mbajnë jetën private larg vëmendjes së mediave. Aktorja theksoi se komunikimi, respekti dhe gatishmëria për të mësuar vazhdimisht për njëri-tjetrin janë elementët që e kanë mbajtur të fortë marrëdhënien e tyre ndër vite.


