Aktori i njohur Patrick Dempsey ka hedhur poshtë zërat se do të kandidojë për vendin e Senatit amerikan nga shteti i Maine, pavarësisht mbështetjes së madhe që mori nga publiku pas zhvillimeve të fundit në garën zgjedhore.
Në një artikull të botuar në Portland Press Herald, ylli i serialit “Grey’s Anatomy” tha se e kishte menduar seriozisht mundësinë për të hyrë në politikë, por në fund arriti në përfundimin se mund t’i shërbejë komunitetit më mirë jashtë Kongresit. Ai theksoi se dëshiron të vazhdojë punën e tij përmes The Dempsey Center, organizatës që mbështet falas pacientët me kancer dhe familjet e tyre.
“Shërbimi ndaj të tjerëve fillon me një pyetje të thjeshtë: Si mund t’ia bëj jetën dikujt pak më të mirë?”, shkroi Dempsey, duke shtuar se nuk do të kandidojë për postin e senatorit, por u bëri thirrje politikanëve të udhëheqin me përulësi, ndershmëri dhe duke vendosur njerëzit përpara interesave partiake.
Spekulimet për kandidimin e tij u intensifikuan pasi kandidati demokrat Graham Platner u tërhoq nga gara për Senatin mes akuzave për sulm seksual, duke lënë Partinë Demokratike në kërkim të një kandidati të ri për t’u përballur me senatoren republikane Susan Collins. Megjithatë, Dempsey e bëri të qartë se politika nuk është rruga që dëshiron të ndjekë.


