Këngëtarja legjendare Carly Simon ka bërë të ditur se është diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit, duke zbuluar se vitet e fundit kanë qenë të mbushura me sfida shëndetësore. Artistja 83-vjeçare tha se për një kohë të gjatë ka mësuar të jetojë me këtë sëmundje progresive neurologjike, ndaj edhe zgjodhi të qëndronte larg vëmendjes së publikut.
Në një deklaratë prekëse, Simon shpjegoi se fillimisht problemet nisën me artritin në gjunjë dhe ijë, çka e detyroi t’i nënshtrohej disa operacioneve për zëvendësimin e nyjeve. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve, ajo vazhdoi të kishte vështirësi në lëvizje dhe më vonë, pas ekzaminimeve në Mayo Clinic, mori diagnozën e Parkinsonit.
“Po mësoj se si të jetoj me Parkinsonin”, u shpreh këngëtarja, duke shtuar se sëmundja shfaqet ndryshe te çdo person. Ajo pranoi se lodhja, mungesa e energjisë dhe vështirësitë në lëvizje kanë qenë ndër sfidat më të mëdha me të cilat është përballur.
Përveç Parkinsonit, Simon zbuloi se ka kaluar edhe një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një forme të kancerit të lëkurës (karcinomë bazocelulare), gjë që ndikoi edhe në vendimin e saj për t’u tërhequr nga paraqitjet publike.
Pavarësisht sfidave, artistja theksoi se nuk ka ndalur së krijuari muzikë. Ajo do të publikojë albumin e saj të parë me materiale origjinale pas 18 vitesh, me titullin “Comes in Waves”, më 14 gusht, duke thënë se muzika ka qenë forca që e ka ndihmuar të përballojë periudhën më të vështirë të jetës së saj.


