Një regjistrim i hershëm dhe i padëgjuar më parë i këngës së famshme “Day Tripper” të The Beatles është publikuar më shumë se 60 vjet pas krijimit të saj. Incizimi, i titulluar “Day Tripper (Songwriting Work Tape)”, kap John Lennon dhe Paul McCartney duke punuar së bashku në shtëpinë e Lennon në Kenwood, ndërsa kënga ishte ende në fazat e para të krijimit. Në atë moment nuk ishte krijuar ende as rifi i famshëm i kitarës që më vonë u bë shenja dalluese e këngës.
Në regjistrim dëgjohen Lennon dhe McCartney duke eksperimentuar me këngën, duke biseduar dhe qeshur gjatë procesit krijues. Versioni përfundimtar i “Day Tripper” u realizua më pas gjatë një sesioni tetëorësh në studio. Regjistrimi i rrallë do të jetë pjesë e edicionit special të zgjeruar të albumit “Rubber Soul”, i cili publikohet më 2 tetor dhe përmban edhe një sërë incizimesh e demo-sh të papublikuara më parë.


