Sarah Jessica Parker ka luajtur për gati tri dekada një nga personazhet më të njohura televizive, Carrie Bradshaw, por tani ka sqaruar një keqkuptim që e ka shoqëruar prej vitesh: shumë njerëz mendojnë se ajo dhe personazhi i saj janë njësoj.
E pyetur nga “Vogue” se cili është keqkuptimi më i madh që njerëzit kanë për të, aktorja 61-vjeçare u përgjigj shkurt: “Se unë jam Carrie”.
Parker e interpretoi për herë të parë Carrie Bradshaw në vitin 1998 në serialin “Sex and the City”. Pas përfundimit të serialit në vitin 2004, ajo u rikthye në dy filma, ndërsa vite më vonë e luajti sërish personazhin në “And Just Like That…”, i cili përfundoi pas tri sezonesh. Në total, Carrie ka qenë pjesë e jetës së saj profesionale për 27 vjet.
Megjithëse thekson se nuk është Carrie Bradshaw në jetën reale, Parker pranon se kanë të paktën një gjë të përbashkët: dashurinë për modën dhe veçanërisht për këpucët.
Por kur u pyet për arritjen më të madhe të jetës së saj, përgjigjja nuk kishte lidhje me Hollywood-in. Parker tha se është familja që ka krijuar me bashkëshortin Matthew Broderick dhe tre fëmijët e tyre.


