Kalimi në orën verore përbën një sfidë të vërtetë për organizmin, pasi prish ritmin natyror biologjik dhe ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e zemrës dhe presionin e gjakut. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i orarit të gjumit mund të shkaktojë çrregullime hormonale, rritje të tensionit dhe përshpejtim të rrahjeve të zemrës. Studimet tregojnë se ditët e para pas ndërrimit të orës, veçanërisht e hëna e parë, lidhen me një rritje të rasteve të infarktit, çka e bën këtë periudhë veçanërisht të ndjeshme për organizmin.
Këtij efekti i shtohen edhe ndryshimet e papritura të motit, të cilat përbëjnë stres shtesë për sistemin kardiovaskular. Kalimi i shpejtë nga temperatura të larta në mot të ftohtë dhe luhatjet e presionit atmosferik shkaktojnë ngushtim të enëve të gjakut dhe rritje të tensionit. Ndërsa tek personat e shëndetshëm këto simptoma zakonisht janë të lehta dhe kalimtare, tek fëmijët, të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike ato mund të jenë më serioze. Mjekët rekomandojnë gjumë të rregullt, hidratim të mjaftueshëm dhe shmangie të ndryshimeve të menjëhershme në terapi, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të sinjaleve të trupit dhe përshtatjes me kushtet e motit.


