OpenAI ka njoftuar se gjatë muajit të ardhshëm do të lansojë kontrolle prindërore për ChatGPT, pas akuzave se përdorimi i chatbotëve mund të ketë ndikuar në raste të vetëlëndimit apo vetëvrasjes tek adoleshentët.
Prindërit do të kenë mundësi të lidhin llogarinë e tyre me atë të fëmijës, të kufizojnë mënyrën si asistenti përgjigjet, të çaktivizojnë opsione si ruajtja e historikut të bisedave dhe të marrin njoftime në rast se sistemi dallon shenja shqetësimi akut. OpenAI theksoi se këto janë vetëm hapat e parë dhe se qasja e tyre do të përmirësohet vazhdimisht për ta bërë ChatGPT sa më të sigurt për të rinjtë.