Një studim i fundit tregon se acidet yndyrore omega-3, të cilat gjenden në suplementet e vajit të peshkut, mund të ndihmojnë në reduktimin e agresivitetit deri në 28%. Këto acide janë të njohura për përfitimet e tyre për shëndetin mendor dhe fizik, ndërsa më parë janë lidhur me parandalimin e sëmundjeve si skizofrenia.
Hulumtimi, i publikuar në Aggression and Violent Behavior, analizoi të dhënat nga 3,918 pjesëmarrës në 29 studime të ndryshme të kryera midis viteve 1996 dhe 2024. Rezultatet treguan një efekt të dukshëm në reduktimin e agresionit, si në reagimet impulsive, ashtu edhe në sjelljet e planifikuara. Ekspertët sugjerojnë se mekanizmi kryesor mund të lidhet me aftësinë e omega-3 për të reduktuar inflamacionin dhe për të mbështetur funksionet vitale të trurit. Megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme, ata theksojnë se përfshirja e rregullt e peshkut në dietë mund të ketë një ndikim pozitiv, veçanërisht tek fëmijët me sjellje agresive.