Të dhënat tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%
Sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe sidomos hipertensioni e kanë prekur popullatën shqiptare në mënyrë shqetësuese, sipas raportit global të OBSH-së që u publikua së fundmi.
Të dhënat tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%.
Nga mbi 797 mijë persona të prekur, vetëm 49% janë të diagnostikuar, 38% marrin trajtim dhe vetëm 11% e mbajnë nën kontroll gjendjen. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me përqindjen më të ulët të kontrollit në rajon, shumë larg objektivit global prej 50%, shkruan “Monitor”.
Trendet historike tregojnë një rritje të vazhdueshme të rasteve të diagnostikuara, por hendeku mes pacientëve që trajtohen dhe atyre që e menaxhojnë mbetet i madh.
Në vitin 2022, sëmundjet kardiovaskulare përbënin gati gjysmën e të gjitha vdekjeve në vend, ndërsa 59 raste për 100 mijë banorë lidhen drejtpërdrejt me presionin e lartë të gjakut.
Megjithëse Shqipëria ynë ka një strategji kombëtare për sëmundjet që lidhen me tensionin dhe ato kardiovaskulare, zbatimi praktik mbetet i dobët.
Sipas OBSH, faktori kryesor i rrezikut për hipertensionin është konsumi i lartë i kripës. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë në ditë, sipas të dhënave për të rriturit mbi 25 vjeç. Ky nivel është më shumë se dyfishi i rekomandimit të OBSH-së (5 gramë në ditë). Teprica lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe është një nga arsyet kryesore pse kjo sëmundje është kaq e përhapur në vend.
Shqipëria ka bërë studime kombëtare për përdorimin e kripës, por mungon ende një sistem i plotë të dhënash klinike që ndihmon në ndjekjen e pacientëve dhe në matjen e rezultateve për ata që e ulin.
OBSH vë në dukje se, për të ulur barrën e hipertensionit, vendi duhet të forcojë kujdesin parësor, të zgjerojë fushatat e ndërgjegjësimit dhe të përmirësojë aksesin në trajtim efektiv.
Shqipëria është para një alarmi shëndetësor me 47% të popullsisë së rritur që vuajnë nga hipertensioni, kur dihet se është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë në vend.