Me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, World Health Organization (OBSH) ka bërë të ditur se rreth 750 milionë njerëz në mbarë botën dëshirojnë të heqin dorë nga duhani dhe produktet e tjera që përmbajnë nikotinë.
Sipas OBSH-së, rreth 60 për qind e duhanpirësve shprehin dëshirën për të lënë duhanin. Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve në mbarë botën që të ndërmarrin hapa drejt një jete më të shëndetshme dhe pa varësi nga nikotina.
OBSH thekson se lënia e duhanit sjell përfitime të shumta shëndetësore, duke përfshirë normalizimin e ritmit të zemrës, përmirësimin e funksionit të mushkërive dhe uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.
Sipas të dhënave të organizatës, më shumë se 90 për qind e duhanpirësve provojnë për herë të parë një produkt duhani para moshës 18-vjeçare.
“Sa herë që mendoni se nikotina ju qetëson, ajo në fakt vetëm sa e forcon varësinë. Kompanitë e duhanit i dizajnojnë produktet e tyre në mënyrë që të rinjtë të mbeten të bllokuar në ciklin e manipulimit dhe varësisë”, thuhet në mesazhin e OBSH-së.
Në Ditën Botërore pa Duhan, OBSH u bën thirrje institucioneve, familjeve dhe komuniteteve të mbështesin iniciativat për parandalimin e duhanpirjes dhe mbrojtjen e të rinjve nga varësia ndaj nikotinës.


