Nominimet për çmimin më prestigjioz në botën e filmit, ‘Oscar’, janë shtyrë për gati një javë për shkak të zjarreve që kanë përfshirë Kaliforninë. Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, e cila ndan çmimet ‘Oscar’, njoftoi se nominimet do të shpallen më 23 janar.
„Jemi të tronditur nga ndikimi i zjarreve dhe humbjet e përjetuara nga shumë pjesëtarë të komunitetit tonë. Akademia gjithmonë ka qenë një forcë unifikuese në industrinë e filmit dhe ne jemi të përkushtuar që të përballemi së bashku me këto sfida,“ deklaruan drejtori ekzekutiv i Akademisë Bill Kramer dhe presidentja Janet Yang.
Për shkak se zjarret ende janë aktive në zonën e Los Anxhelosit, Akademia ka vendosur të zgjasë periudhën e votimit për nominime deri të premten. Po ashtu, ceremonia për dhënien e çmimeve shkencore dhe teknike, e cila ishte planifikuar për 18 shkurt, do të mbahet në një datë të mëvonshme.
Ceremonia e 97-të e ndarjes së çmimeve ‘Oscar’ do të zhvillohet më 2 mars në teatrin Dolby, me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv që fillon në orën 19:00.
Nominimet për çmimet ‘Oscar’ janë shtyrë edhe më parë, siç ndodhi në vitin 2021 gjatë pandemisë COVID-19.