Shkencëtarët e Universitetit Stanford në SHBA kanë zhvilluar një vaksinë eksperimentale në formë spreji për hundë, e cila në testimet tek minjtë ka ofruar mbrojtje të gjerë kundër ftohjes, gripit, COVID-19, disa baktereve dhe madje edhe alergjenëve.
Studimi, i publikuar në revistën Science, tregon se vaksina nuk imiton drejtpërdrejt virusin, por aktivizon sistemin imunitar duke imituar sinjalet natyrore të mbrojtjes së organizmit. Kjo metodë mundëson reagim më të fortë dhe më të gjerë ndaj infeksioneve respiratore.
Ekspertët paralajmërojnë se rezultatet janë ende në fazë testimi te kafshët dhe duhen prova klinike tek njerëzit. Megjithatë, nëse konfirmohet efektiviteti, vaksina mund të jetë e disponueshme brenda 5-7 viteve dhe të ndryshojë mënyrën e parandalimit të sëmundjeve sezonale.


