Moshe kronologjike nuk është gjithmonë tregues i saktë i gjendjes reale të organizmit. Dy persona me të njëjtën moshë mund të kenë nivele shumë të ndryshme të shëndetit dhe plakjes, pasi ajo që ka rëndësi është mosha biologjike, gjendja e vërtetë fiziologjike e trupit, e ndikuar nga mënyra e jetesës, faktorët gjenetikë dhe mjedisorë. Një studim i gjerë evropian ka zhvilluar një metodë të re për matjen e kësaj moshe, duke analizuar një grup treguesish në gjak që japin një pasqyrë më të saktë të procesit të plakjes.
Studiuesit zbuluan se nuk mjafton një tregues i vetëm për të vlerësuar plakjen, por një kombinim i disa treguesve biologjikë mund të krijojë një “rezultat biologjik të moshës”. Ky sistem ka treguar se disa njerëz janë biologjikisht më të rinj se mosha e tyre, ndërsa faktorë si duhanpirja përshpejtojnë plakjen. Ky zbulim mund të hapë rrugën për një mjekësi parandaluese më të personalizuar, duke ndihmuar në identifikimin e hershëm të rrezikut për sëmundje dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.


