Giorgio Armani, një nga emrat më të mëdhenj të modës italiane, nuk e nisi karrierën si stilist. Ai fillimisht studioi mjekësi, por i braktisi studimet dhe pas shërbimit ushtarak filloi të punonte si shitës në një dyqan të madh në Milano. Pikërisht aty nisi afrimi i tij me botën e modës.
Gjatë viteve ’60, Armani fitoi përvojë në dizajnimin e veshjeve për meshkuj, ndërsa në vitet ’70 krijoi markën e tij. Stili elegant dhe minimalist e bëri shpejt të njohur edhe jashtë Italisë.
Një moment vendimtar ishte bashkëpunimi me Hollywood-in, veçanërisht kur Richard Gere veshi kostumet e tij në filmin “American Gigolo”. Me kalimin e viteve, Armani e shndërroi emrin e tij në një perandori globale që përfshinte veshje, parfume, aksesorë dhe hotele luksoze. Nga një shitës në Milano, ai u bë një nga figurat më me ndikim në historinë e modës.


