Netflix ka publikuar trailerin e serisë së re dokumentare Michael Jackson: The Verdict, e cila trajton gjyqin e bujshëm të Michael Jackson nga viti 2005. Dokumentari me tre episode do të publikohet më 3 qershor dhe fokusohet në akuzat për abuzim me fëmijë, procesin gjyqësor dhe ndikimin e madh mediatik që e shoqëroi rastin.
Seria përfshin dëshmi nga anëtarë të jurisë, dëshmitarë, avokatë dhe persona që morën pjesë drejtpërdrejt në procesin gjyqësor. Autorët kanë deklaruar se projekti është realizuar si një “dokument historik”, duke paraqitur faktet dhe zhvillimet e gjyqit nga të dyja palët – prokuroria dhe mbrojtja.
Edhe pse Michael Jackson u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, interesimi publik për jetën dhe kontroversat e tij vazhdon edhe pas vdekjes së tij në vitin 2009. Regjinë e dokumentarit e ka bërë Nick Green, ndërsa producentë ekzekutivë janë Fiona Stourton dhe David Herman.


