Grupi malazez NeonoeN, fitues i konkursit muzikor Montesong me këngën “Clickbait”, u tërhoq papritur nga përfaqësimi i Malit të Zi në Eurovision Song Contest 2025. Vendimi u mor pasi u shfaq mundësia e skualifikimit për shkak të performancës së një versioni të punës të këngës përpara konkursit aktual. Edhe pse grupi pretendon se nuk i kanë thyer rregullat për shkak se kënga nuk është përdorur komercialisht dhe versioni live ishte i ndryshëm nga ai i Montesong, ata vendosën të tërhiqen nga konkursi.
Në një postim në rrjetet sociale, NeonoeN theksoi se Eurosong nuk ishte synimi i tyre kryesor, por zgjerimi i aktivitetit muzikor dhe se nuk duan të përfshihen në histori jashtë muzikës. Grupi falënderoi RTCG-në dhe publikun për mbështetjen dhe mirëkuptimin, duke theksuar se Montesong, me 16 këngë të reja, tashmë ia ka arritur qëllimit. NeonoeN theksoi se pas kësaj eksperience do t’i përkushtohet familjes dhe kënga “Clickbait” do të vazhdojë të jetojë si një këngë muzikore dhe një fenomen social. RTCG, në përputhje me rregulloret, do të zgjedhë një përfaqësues të ri të Malit të Zi në Eurovision Song Contest 2025.