Në një atmosferë të ngrohtë kulturore e reflektuese mbi rolin e letërsisë në ruajtjen e lirisë, kulturës dhe identitetit kombëtar, në qytetin Soltau të Gjermanisë u përurua romani më i ri i autorit Ilir Shaqiri, “Polifoni e mendjeve të lira”.
Ngjarja mblodhi studiues, krijues dhe dashamirë të letërsisë nga trojet shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe viset tjera, të cilët sollën një atmosferë të veçantë shpirtërore e artistike, shkruan Indeksonline.
Ilir Shaqiri shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit që e nderuan me praninë e tyre dhe kontribuan në suksesin e këtij promovimi. Ai falënderoi gjithashtu nikoqirin e ngjarjes, mikun e tij të afërt z. Isa Gashi dhe familjen e tij, për mikpritjen vëllazërore dhe organizimin e shkëlqyer të aktivitetit.
Romani “Polifoni e mendjeve të lira” vjen si një reflektim i thellë mbi lirinë, mendimin kritik dhe identitetin në kohët moderne, duke sjellë një zë të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

