Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit islam dhe konsiderohet si muaji më i shenjtë për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Gjatë këtij muaji, besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimi, pija dhe çdo veprim që prish agjërimin.
Ramazani është muaji i zbritjes së Kur’anit dhe një periudhë e veçantë për reflektim shpirtëror, falje, mëshirë dhe afrimitet me Zotin. Përveç agjërimit, besimtarët shtojnë lutjet, leximin e Kur’anit dhe veprat e mira, duke ndihmuar familjarët, fqinjët dhe personat në nevojë.
Iftari, vakti i mbrëmjes me të cilin përfundon agjërimi ditor, është një moment i veçantë bashkimi familjar dhe solidariteti. Ndërsa namazi i teravive, që falet në mbrëmje, e shton edhe më shumë ndjenjën e përkushtimit dhe përjetimit shpirtëror të këtij muaji.
Ramazani na kujton rëndësinë e durimit, vetëkontrollit, faljes dhe mirësisë. Është një kohë për pastrim të zemrës, forcim të besimit dhe përhapje të paqes e dashurisë mes njerëzve.
Gëzuar Muajin e bekuar të Ramazanit!
Allahu ua pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat e mira!


