Pirja e kafesë menjëherë pas marrjes së suplementeve mund të zvogëlojë ndjeshëm përthithjen e disa vitaminave dhe mineraleve, paralajmërojnë nutricionistët. Substancat si polifenolët dhe taninet në kafe pengojnë përthithjen e hekurit, vitaminës D, B-kompleksit, C dhe kalciumit – lëndë thelbësore për imunitetin, kockat dhe energjinë.
Ekspertët rekomandojnë të prisni të paktën një orë mes konsumimit të kafesë dhe suplementeve. Një zgjidhje praktike është të pini kafen me mëngjes, ndërsa vitaminat t’i merrni pak më vonë gjatë ditës ose në mbrëmje – sidomos hekurin dhe kalciumin. Kjo ndarje ndihmon në përthithjen optimale të lëndëve ushqyese dhe ruan efektivitetin e suplementeve.