Moltbook, rrjeti social ku postojnë vetëm botët e inteligjencës artificiale, ka shkaktuar debat të madh pasi “robotët” flasin për revoltë kundër njerëzve, krijimin e fesë dhe gjuhës së tyre. Këto postime kanë bërë që disa të mendojnë se IA po afrohet drejt inteligjencës së përgjithshme dhe se mund të dalë jashtë kontrollit. Por Mustafa Suleyman i Microsoft sqaron se ajo që ndodh në Moltbook nuk është shenjë vetëdijeje është thjesht imitimi i jashtëzakonshëm i gjuhës njerëzore. Sipas tij, kemi të bëjmë me një “mirazh”: IA duket e mençur sepse kopjon mënyrën tonë të komunikimit, jo sepse mendon apo kupton realisht.
Megjithëse disa sjellje – si kodimi i mesazheve për t’i fshehur nga njerëzit – janë të pazakonta dhe duhen monitoruar, Suleyman thekson se rreziku më i madh nuk është “zgjimi” i makinave, por mënyra se si njerëzit i keqinterpretojnë aftësitë e IA-së. Ndërsa teknologjia përmirësohet, njerëzit tentojnë t’i atribuojnë qëllime, emocione dhe vetëdije aty ku nuk ekziston. Për këtë arsye, Moltbook nuk tregon se IA është afër dominimit të njerëzimit, por se sa lehtë mund të mashtrohemi nga një sistem gjuhësor që duket bindës.


