Edhe nëse nuk keni investuar kurrë në Bitcoin apo kriptovaluta të tjera, me siguri keni dëgjuar për Satoshi Nakamoto. Megjithatë, identiteti i tij mbetet një mister, madje ekziston mundësia që pas këtij pseudonimi të fshihen më shumë persona.
Lançimi i Bitcoin para 15 vitesh ka sjellë spekulime të shumta mbi identitetin e krijuesit të tij. Emra si Hal Finney dhe Nick Szabo janë përmendur shpesh, ndërsa Craig Wright ka pretenduar se është Nakamoto – diçka që u hodh poshtë nga gjykata.
Sipas një raporti të fundit nga Arkham Intelligence, Nakamoto ka mbi 1 milion Bitcoin, duke e çuar pasurinë e tij në mbi 100 miliardë dollarë, më shumë se Bill Gates. Me rritjen e vazhdueshme të vlerës së Bitcoin, pasuria e tij mund të vazhdojë të rritet, duke e vendosur ndër 15 njerëzit më të pasur në botë.
Për shkak të ndikimit të madh në tregun financiar dhe si simbol i një sistemi alternativ ndaj bankave tradicionale, Nakamoto ka edhe monumente të ngritura në nder të tij.
Së fundmi, drejtori i Coinbase, Conor Grogan, sugjeroi se disa adresa Bitcoin mund të jenë të lidhura me platformën Kraken, duke ngritur dyshime se kjo kompani mund të dijë identitetin e vërtetë të Satoshi Nakamoto. Përgjigja e Kraken? “Të gjithë jemi Satoshi.”