Në përpjekje për të rikuperuar terrenin në garën globale për dominimin e inteligjencës artificiale, themeluesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, i ofroi Mira Muratit një marrëveshje miliardëshe për blerjen e startup-it të saj inovativ, Thinking Machines Lab. Por shqiptarja Mira Murati refuzoi një ofertë të tillë, duke qëndruar e vendosur në vizionin dhe misionin e saj.
Mira Murati, inxhiniere me origjinë shqiptare dhe ish-drejtoreshë teknologjike në OpenAI, ka qenë një nga figurat kyçe pas zhvillimit të projekteve si ChatGPT. E cilësuar nga kolegët si “truri i inteligjencës artificiale”, Murati është e njohur për qasjen e saj të balancuar mes inovacionit teknologjik dhe etikës njerëzore.
Në kompaninë që ka themeluar, ajo ka ndërtuar një kulturë organizative horizontale, ku edhe studiuesit më të lartë quhen thjesht “anëtarë të stafit teknik” – një model që frymëzohet nga praktikat më të avancuara në historinë e teknologjisë.
E ftuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, dhe e renditur nga revistat TIME dhe Fortune ndër 100 gratë më me ndikim në teknologji, Murati është kthyer në një zë të fuqishëm në debatin global për të ardhmen dhe etikën e inteligjencës artificiale. Ajo po këshillon edhe Komisionin Evropian mbi rregulloret e reja të IA-së, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm zhvillimin, por edhe kuadrin ligjor dhe moral të kësaj fushe.