Aktori amerikan Mickey Rourke ka reaguar publikisht në Instagram kundër një fushate online të nisur për të mbledhur para për pagesën e qirasë së tij, duke e cilësuar iniciativën si poshtëruese.
I veshur sportiv dhe me qenin në prehër, Rurk u shpreh se, edhe pse po përballet me vështirësi financiare, nuk do të kërkonte kurrë para nga njerëz të panjohur apo fansa. “Nëse do të kisha nevojë për para, nuk do të kërkoja lëmoshë,” tha ai.
Ylli i viteve ’80, i nominuar për Oscar në vitin 2009 për filmin The Wrestler, thuhet se rrezikon dëbimin për shkak të qirasë së papaguar. Një mikeshë e tij kishte hapur një faqe “crowdfunding” për ta ndihmuar, duke theksuar se fama nuk garanton stabilitet financiar.
Sipas Los Angeles Times, Rurk ka marrë njoftimin për dëbim më 18 dhjetor, ndërsa borxhi i qirasë vlerësohet rreth 60 mijë dollarë.


