Michael J. Fox ka folur hapur për ndikimin që pati publikimi i diagnozës së tij me sëmundjen e Parkinsonit te bashkëshortja, Tracy Pollan, duke pranuar se ishte një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për të. Në një intervistë të fundit, aktori tha se vendimi për ta bërë publike sëmundjen në vitin 1998 e vuri familjen e tij përballë sfidave të mëdha.
“Ishte ferr për Tracy. Ishte vërtet e vështirë për të dhe vazhdon të jetë, sepse kjo sëmundje është gjithmonë në ndryshim,” u shpreh Fox, i cili u diagnostikua me Parkinson në vitin 1991, në moshën 29-vjeçare, por e mbajti të fshehtë diagnozën për shtatë vjet.
Aktori tha se nuk donte ta fshihte më gjendjen e tij dhe besonte se dalja publike do të ndihmonte në ndërgjegjësimin për sëmundjen, veçanërisht për njerëzit që nuk kishin të njëjtat mundësi apo mbështetje si ai. Ky vendim çoi edhe në themelimin e Michael J. Fox Foundation, e cila deri më sot ka mbledhur mbi 3 miliardë dollarë për kërkimin shkencor mbi Parkinsonin.
Fox vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Tracy Pollan gjatë gjithë këtyre viteve, duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të familjes së tyre. Ai shtoi se rikthimi i fundit në aktrim me serialin “Shrinking” i ka rikthyer pasionin për profesionin dhe e ka ndihmuar të vazhdojë të shohë jetën me optimizëm, pavarësisht sfidave që sjell sëmundja.


