Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA, Donald Trump, ka emëruar Jon Voight, Mel Gibson dhe Sylvester Stallone si “ambasadorë specialë” të Hollywood-it, me qëllimin për të nxitur prodhimin vendas të filmave dhe emisioneve televizive, ndërsa industria e argëtimit po zhvendoset gjithnjë e më shumë në vende të tjera.
“Ata do të shërbejnë si të dërguarit e mi specialë për ta rikthyer Hollywood-in, i cili ka humbur shumë vende pune gjatë katër viteve të fundit, në një gjendje më të madhe, më të mirë dhe më të fortë se kurrë,” deklaroi Trump. Ai shtoi: “Këta tre njerëz shumë të talentuar do të jenë sytë dhe veshët e mi, dhe unë do të veproj sipas sugjerimeve të tyre. Kjo do të shënojë rikthimin e Epokës së Artë të Hollywood-it”.
Sipas Hollywood Reporter, ky njoftim sinjalizon synimin e Trump për të ndërhyrë kundër largimit të prodhimeve filmike nga SHBA në vende të tjera.
Shtete të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë, po zgjerojnë vazhdimisht programet dhe strategjitë e tyre për të tërhequr produksionet hollywoodiane.
Për momentin, nuk ka detaje mbi rolin specifik që do të luajnë këta aktorë në forcimin e industrisë filmike në vend.
Ky njoftim vjen pas nënshkrimit të buxhetit nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili këtë muaj ka më shumë se dyfish shumën e kredive tatimore për industrinë filmike, duke e rritur mbështetjen financiare për prodhimet filmike dhe televizive nga 330 milionë dollarë në 750 milionë dollarë në vit.