Mbreti i Britanisë, Charles III, do të shfaqet sot në një mesazh të regjistruar, ku do të ndajë për herë të parë përvojën e tij me kancerin dhe shërimin. Ai do të flasë për 22 muajt e fundit që nga momenti kur njoftoi se do t’i nënshtrohej trajtimit, duke përdorur historinë e tij personale për të inkurajuar njerëzit të bëjnë kontrolle të hershme, të cilat rrisin ndjeshëm shanset për mbijetesë. Vendimi i tij për të qenë transparent ishte një thyerje e traditës mbretërore, pasi familja britanike zakonisht i mban çështjet shëndetësore të mbyllura për publikun.
Pas shpalljes së diagnozës, pati një rritje të madhe të interesit publik për informacion rreth simptomave të kancerit, ndërsa organizata “Cancer Research UK” raportoi 33% më shumë vizita. Edhe pse Pallati Buckingham nuk e bëri publik llojin e kancerit, u konfirmua se ai u zbulua gjatë trajtimit për prostatë të zmadhuar. Mbreti pezulloi aktivitetet publike për rreth dy muaj, por vazhdoi detyrat shtetërore dhe u rikthye në skenë në prill, kur vizitoi një qendër kanceri në Londër, duke ndarë me pacientët edhe emocionet e momentit të marrjes së diagnozës.


