Një mashtrues nga Nigeria, i cili më parë mori 800,000 euro nga një grua franceze duke u shtirur si Brad Pitt, tani po përdor identitetin e Keanu Reeves për të vazhduar skemat e tij. Ai përdorte imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe mesazhe romantike për të fituar besimin e viktimave, duke i manipuluar me premtime të rreme dhe histori dramatike.
Një nga viktimat, Ana, 53 vjeç, besoi se po ndihmonte Pitt për trajtimin e një sëmundjeje dhe i dërgoi shuma të mëdha parash. Mashtruesi e kontaktoi fillimisht si “nëna e Pitt”, duke i thënë se djali i saj kishte nevojë për ndihmë, më pas si vetë aktori dhe më vonë si “agjent i FBI” për të vazhduar mashtrimin. Për të bërë historinë më të besueshme, ai përdorte foto të manipuluara të Pitt në spital dhe madje krijoi edhe profile të rreme të mjekëve.
Organizata “Find My Scammer” ka zbuluar se mashtruesi vazhdon të përdorë identitete të personave të famshëm, duke synuar viktima të reja. Aktualisht, ai prezantohet si Keanu Reeves, duke përdorur të njëjtat taktika për të mashtruar dhe përfituar para nga personat që bien pre e skemave të tij.