Mashtrimet në internet sot janë shumë më të vështira për t’u dalluar sesa dikur. Gabimet drejtshkrimore, përkthimet e çuditshme dhe adresat e dyshimta të email-it po zëvendësohen nga mesazhe të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, të cilat duken profesionale dhe bindëse. Ekspertët paralajmërojnë se më shumë se 82 përqind e mesazheve tashmë krijohen nga modele të avancuara të inteligjencës artificiale, duke i bërë filtrat klasikë të sigurisë gjithnjë e më pak efektivë. Mashtruesit përdorin mesazhe që krijojnë panik dhe nxitim, si “llogaria juaj do të bllokohet” ose “afati po skadon”, sepse e dinë që frika ul kujdesin e njerëzve.
Sipas specialistëve të sigurisë kibernetike, të moshuarit mbeten veçanërisht të rrezikuar për shkak të besimit më të madh ndaj institucioneve, por as të rinjtë nuk janë imunë ndaj manipulimit emocional dhe mashtrimeve moderne. Përveç email-eve të rreme, mashtruesit po përdorin edhe metoda të reja, si kode QR të falsifikuara në vende publike që çojnë përdoruesit në faqe mashtruese. Ekspertët theksojnë se mbrojtja më e rëndësishme sot është kujdesi personal, të ndalosh për disa sekonda para se të klikosh, të kontrollosh dërguesin dhe të mos veprosh nën presion apo panik.


