FIFA ka konfirmuar se Madonna, Shakira dhe grupi korean BTS do të jenë yjet kryesorë të spektaklit të parë “halftime show” në historinë e finales së Kupës së Botës 2026. Finalja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin MetLife në New Jersey, ndërsa organizatorët kanë premtuar një spektakël të ngjashëm me atë të Super Bowl-it amerikan.
Sipas raportimeve, performanca do të koordinohet nga Chris Martin i grupit Coldplay dhe do të mbështesë fondin “FIFA Global Citizen Education Fund”, i cili synon të mbledhë 100 milionë dollarë për edukimin dhe futbollin e fëmijëve në mbarë botën. Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e muzikës dhe futbollit e kanë cilësuar eventin si një nga momentet më të mëdha artistike të vitit 2026.


