Këngëtari legjendar Lionel Richie është hospitalizuar pas koncertit të tij në St. Louis, duke ngritur shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore.
Richie, 77 vjeç, performoi të shtunën, më 29 gusht, në The Muny, por drejt fundit të koncertit u pa se kishte nevojë të ulej. Gjatë këngës së fundit, hitit “All Night Long”, ai kërkoi që ekipi t’i sillte një karrige dhe e përfundoi performancën ulur.
Pas koncertit, këngëtari u paraqit në spital dhe u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv për ekzaminime dhe si masë paraprake. Sipas raportimeve, mjekët po shqyrtojnë mundësinë që shkaku të jetë dehidratimi i lehtë. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se gjendja e Richie është stabile dhe se pritet të dalë nga spitali së shpejti.
Ky nuk është problemi i parë shëndetësor i këngëtarit gjatë këtij turneu. Në qershor ai u detyrua ta ndërpriste një koncert në St. Paul pasi kishte marramendje dhe më pas shtyu dy koncerte për t’u rikuperuar.
Gjatë koncertit të fundit në St. Louis, vetë Richie kishte treguar se mjeku më herët i kishte thënë se vuante nga dehidratimi, ndërsa gjatë performancës konsumoi disa herë pije me elektrolite.


