Shkencëtarët në Norvegji kanë dokumentuar për herë të parë lindjen e një orke në natyrë, duke kapur me foto e video momentet e para të jetës së vogëlushit në ujërat e Arktikut. Gjatë një vëzhgimi rutinë pranë brigjeve të Skjerway, studiuesit panë papritur gjak në ujë dhe kuptuan se një femër orkë kishte lindur pikërisht aty pranë. Pjesëtarët e tjerë të grupit formuan menjëherë një rreth mbrojtës rreth nënës dhe të porsalindurit, duke e ngritur në sipërfaqe për ta ndihmuar të marrë frymën e parë.
Sipas ekipit “Norwegian Orca Research”, nëna, e njohur që nga viti 2013 si NKW-591, është një femër me përvojë që ka pasur edhe më parë këlyshë. Dronët konfirmuan se i porsalinduri ishte gjallë dhe shëndoshë pas minutave të para të vështira. Ky është dokumentimi i parë në histori i lindjes së një orke të egër dhe i orës së saj të parë të jetës – një moment i rrallë që do të ndihmojë shkencën të kuptojë më mirë jetën dhe mbijetesën e këtyre gjitarëve detarë mahnitës.


