Për dashurinë janë shkruar vargjet më të bukura, por edhe janë ndezur luftëra. Historia ka sjellë rrëfime të paharrueshme – disa romantike, të tjera tragjike. Në Ditën e të Dashuruarve, po kujtojmë disa nga çiftet më të famshme që kanë lënë gjurmë nga antikiteti deri sot.
Kleopatra & Cezari
Një lidhje që nisi si aleancë politike dhe u kthye në romancë të fuqishme. Mbretëresha egjiptiane dhe komandanti romak forcuan pushtetin përmes dashurisë – deri në vrasjen e Cezarit që i dha fund historisë së tyre.
Heloiza & Abelardi
Dashuria më e famshme e Mesjetës. Një profesor brilant dhe nxënësja e tij e re sfiduan normat e kohës. Historia e tyre përfundoi me tragjedi, por letrat që shkëmbyen mbeten simbol i një dashurie të përjetshme.
Ana Bolen & Henri VIII
Një romancë që ndryshoi historinë e Anglisë. Për dashurinë ndaj Anës, mbreti shkëputi vendin nga Kisha Katolike. Por lidhja përfundoi me ekzekutimin e saj – një nga episodet më dramatike të historisë mbretërore.
Shah Xhahan & Mumtaz Mahal
Një dashuri që u përjetësua në mermer. Pas vdekjes së bashkëshortes, perandori ngriti Taj Mahalin – sot një nga mrekullitë e botës dhe simbol i dashurisë së përjetshme.
Gertrude Stein & Alice B. Toklas
Një çift boem që jetoi dhe krijoi bashkë për dekada në Paris, duke sfiduar paragjykimet dhe duke ndikuar në artin modern.
Boni & Klajd
Dashuri e rrezikshme në epokën e Depresionit të Madh. Historia e tyre u kthye në mit – mes puthjeve dhe plumbave.


