Në Mexico City është hapur një restorant i veçantë, “La Dua”, për nder të vizitës së Dua Lipës, e cila po e përmbyll turneun e saj Radical Optimism në kryeqytetin meksikan. Restoranti, që do të jetë i hapur deri më 5 dhjetor, po mirëpret fansa që shijojnë meny të frymëzuara nga kultura vendase, përfshirë tre lloje takosh. Ndër më të veçantat është “Taco Radical Optimism”, një kombinim me mish viçi dhe djathë të shkrirë, që shërbehet me supë dhe pije.
Atmosfera në “La Dua” është e mbushur me elemente dekorative dhe dhurata simbolike, përfshirë një kalendar të vitit 2026 me fotografi të Dua Lipës. Meksikanët, të njohur për dashurinë e tyre ndaj takove, e kanë mirëpritur këtë iniciativë në një qytet që numëron mbi 10.900 “takeri”. Restoranti po shndërrohet në një atraksion të përkohshëm për fansat e Dua Lipës dhe vizitorët që duan të bashkojnë muzikën me gastronominë e Mexico City.


