Fansat e La Casa de Papel kanë një arsye të re për t’u entuziazmuar, pasi Netflix ka konfirmuar një tjetër serial nga ky univers shumë i suksesshëm.
Pas suksesit të spin-off-it Berlin, historia vazhdon me sezonin e ri të titulluar “Berlin dhe Zonja me hermelin”, i cili pritet të publikohet më 15 maj. Në qendër mbetet personazhi karizmatik i Berlinit, i luajtur nga Pedro Alonso.
Këtë herë, Berlini dhe partneri i tij Damian mbledhin ekipin në Sevilla për një grabitje të re, që në dukje ka si objektiv veprën artistike “Zonja me hermelin”. Por në realitet, plani është shumë më i thellë dhe lidhet me hakmarrjen ndaj një çifti aristokratësh që përpiqen ta shantazhojnë.
Seriali ruan stilin e njohur të “La Casa de Papel” kombinimin e aksionit, dramës dhe romancës ndërsa sjell edhe personazhe të reja dhe kthimin e disa figurave të njohura nga historia e mëparshme.
Me këtë projekt, Netflix vazhdon të zgjerojë një nga universet më të suksesshme televizive, duke mbajtur gjallë interesin e miliona fansave në mbarë botën.


