Callum Turner, i lindur në Hammersmith të Londrës, është një nga aktorët britanikë që ka fituar shpejt vëmendjen e industrisë së filmit. Pas një karriere të hershme si model, ai iu kthye aktrimit, i mbështetur nga nëna e tij që i ushqeu pasionin për artin. Turner është bërë i njohur për role si protagonisti në “The Capture” – që i solli një nominim BAFTA – si dhe për paraqitjet në “Masters of the Air” dhe “Fantastic Beasts”. Së fundmi, emri i tij po qarkullon gjerësisht si kandidat i fortë për rolin e ardhshëm të James Bond, pasi disa burime britanike e rendisin mes favoritëve.
Përveç karrierës, Turner ka tërhequr vëmendje edhe për jetën personale. Ai është i fejuar me Dua Lipën, me të cilën konfirmoi fejesën në qershor 2025. Para kësaj lidhjeje, ai ishte komentuar për një romancë me aktoren Vanessa Kirby nga “The Crown”. Turner njihet për talentin, thjeshtësinë dhe faktin që nuk përdor rrjete sociale, gjë që e bën figurën e tij edhe më misterioze për publikun.


