Dizajneri i njohur i modës, Giorgio Armani, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar kompania e tij me një njoftim të shkurtër: “Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton vdekjen e krijuesit, themeluesit dhe forcës së pandalshme që e udhëhoqi: Giorgio Armani”.
I njohur si një punëtor i palodhur, Armani ishte i përfshirë në çdo aspekt të brendit dhe sfilatave të tij. Pas vdekjes së tij, kontrolli mbi perandorinë ikonike Armani pritet të ndahet mes gjashtë trashëgimtarëve të përzgjedhur me kujdes, shkruan DailyMail.
Adhuruesit e modës tashmë pyesin se kush do të jetë pasardhësi i tij dhe kush do të trashëgojë pasurinë e tij prej miliarda dollarësh.

Kompania e tij gjeneronte rreth 2.7 miliardë dollarë (2.3 miliardë euro) në vit, ndërsa perandoria e Armanit vlerësohej mbi 12.1 miliardë dollarë (10.3 miliardë euro). Në këtë pasuri përfshiheshin veshje, aksesorë mode, mobilje për shtëpi, parfume, kozmetikë, libra, lule, madje edhe çokollata.
Në një intervistë për Financial Times në gusht, Armani pati thënë se dëshironte që trashëgimtarët të ishin bashkëpunëtorët dhe familjarët e tij më të afërt. Ai nuk kishte fëmijë dhe nuk ishte martuar kurrë, ndonëse ka pasur marrëdhënie si me burra, ashtu edhe me gra.
Raportet e kompanisë dhe të mediave tregojnë se trashëgimtarët e tij janë: motra Rosanna, dy mbesat, një nip, partneri i tij dhe krahu i djathtë Leo Dell’Orco, si dhe fondacioni bamirës që ai themeloi.

Të gjithë këta tashmë janë pjesë e bordit drejtues të kompanisë dhe, sipas statutit që Armani kishte hartuar në vitin 2016, do të marrin aksione sipas funksioneve që mbajnë. Nipërit dhe mbesat e tij kanë pozita të larta brenda shtëpisë luksoze të modës.