Hwang Dong-hyuk, krijuesi i superhitit global “Squid Game”, po përgatit projektin e tij më të ri për Netflix, i cili tashmë ka marrë dritën jeshile. Seriali i ri, i titulluar “The Dealer”, do të prodhohet nga vetë Hwang, ndërsa regjinë e mban Choi Young-hwan dhe skenarin Yoon Ho Lee dhe Lee Tae-young. Historia ndjek Geonhwa-n, një krupiere të talentuar, jeta e së cilës përmbyset pasi bie viktimë e një mashtrimi me pasuri të paluajtshme, duke e detyruar të rikthehet në botën e rrezikshme të kumarit për të marrë jetën nën kontroll.
Rolin kryesor do ta interpretojë Jung So-min, ndërsa në kast bëjnë pjesë edhe Ryu Seung-bum, Lee Soo-hyuk dhe Ryu Kyung-soo. Personazhi i Geonhwa-s përshkruhet si një grua me aftësi të fshehura që i japin epërsi në lojërat e fatit, duke premtuar një dramë të tensionuar dhe me ritëm të shpejtë. Netflix pritet ta promovojë fuqishëm serinë, duke shfrytëzuar popullaritetin gjigant të “Squid Game”.


