Disa konservues ushqimorë të përdorur gjerësisht mund të lidhen me rrezik më të lartë për kancer dhe diabet të tipit 2, sugjerojnë dy studime të reja të realizuara në Francë, ka raportuar CNN.
“Këto janë gjetje shumë të rëndësishme për konservues që përdoren jo vetëm gjerësisht në Francë dhe Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Mathilde Touvier, autore kryesore e studimit dhe udhëheqëse e projektit NutriNet-Santé.
Studimi NutriNet-Santé, i nisur në vitin 2009, përfshin mbi 170 mijë pjesëmarrës dhe krahason të dhënat e tyre online për ushqimin dhe stilin e jetesës me të dhënat mjekësore të ruajtura në sistemin kombëtar shëndetësor të Francës.
“Këto janë dy studimet e para në botë që shqyrtojnë lidhjen mes ekspozimit ndaj këtyre aditivëve ushqimorë dhe kancerit dhe diabetit të tipit 2, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm me mesazhin. Është e qartë që rezultatet duhet të konfirmohen”, ka theksuar Touvier, e cila është edhe drejtoreshë kërkimi në Institutin Kombëtar Francez të Shëndetit dhe Studimeve Mjekësore në Paris.
Megjithatë, sipas ekspertëve, këto gjetje forcojnë nevojën për ushqyerje më të shëndetshme.
“Shqetësimi i ngritur rreth konservuesëve është edhe një arsye tjetër, mes shumë të tjerash, për të theksuar rëndësinë personale dhe publike të ushqimeve të freskëta, të plota dhe sa më pak të përpunuara, kryesisht me bazë bimore”, ka thënë doktori David Katz, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Katz është specialist i mjekësisë parandaluese e stilit të jetesës dhe themelues i organizatës jofitimprurëse True Health Initiative.


