Kompania amerikane e hapësirës, Blue Origin, ka realizuar me sukses sot lëshimin e raketës “New Glenn”. Kjo kompani, në pronësi të themeluesit të Amazon-it, Jeff Bezos, synon të arrijë rivalin e saj, kompaninë SpaceX të Elon Musk.
Raketa, e cila ka një lartësi prej 98 metrash, u ngrit me sukses rreth orës 2:00 të mëngjesit me kohën lokale nga baza hapësinore Cape Canaveral në Florida, pavarësisht kushteve atmosferike jo optimale.
Ky ishte një fluturim i shumëpritur prej vitesh dhe ishte shtyrë disa herë. Të hënën, misioni u anulua në momentin e fundit për shkak të një problemi teknik.
Nëse misioni zhvillohet sipas planit, raketa do të arrijë orbitën dhe do të realizojë një fluturim orbital.
Kompania e Jeff Bezos tashmë ofron udhëtime turistike në hapësirë për disa minuta me raketën “New Shepard”, por nuk kishte realizuar më parë ndonjë fluturim orbital.
Elon Musk e uroi Bezosin për suksesin përmes rrjetit social X.
“Urime për arritjen e orbitës që në përpjekjen e parë!”, shkroi Musk.