Komisioni Evropian ka nisur një hetim zyrtar ndaj kompanisë Google, për shkak të dyshimeve se po shkel rregullat e konkurrencës së Bashkimit Evropian duke përdorur përmbajtje online të mediave dhe faqeve të ndryshme për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale. Hetimi fokusohet në mënyrën se si Google përdor përmbajtje të palëve të treta për funksione si “AI Overviews” dhe “AI Mode”, pa ofruar pagesë apo mundësi refuzimi për botuesit.
Një pjesë e dytë e hetimit lidhet me YouTube, ku dyshohet se përmbajtja e videove mund të përdoret për trajnimin e modeleve gjeneruese të AI pa leje apo kompensim për krijuesit. Komisioni Evropian thekson se hapja e këtij hetimi nuk nënkupton fajësi të Google, por synon një verifikim të detajuar për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të të drejtave të krijuesve.


