Kate Middleton, princesha e Uellsit, deklaroi se ndien një lehtësim të madh që është në fazën e remisies pas trajtimit të kancerit në një spital në Londër. Ajo vizitoi spitalin për të falënderuar mjekët dhe stafin që e trajtuan gjatë muajve të fundit.
Pas një operacioni abdominal një vit më parë, princesha iu nënshtrua kimoterapisë parandaluese. Lloji i kancerit nuk është bërë publik, por në shtator ajo konfirmoi përfundimin e trajtimit.
“Është një lehtësim i madh të jem tani në remisien dhe të përqendrohem te rikuperimi,” tha Kate në një deklaratë. “Mezi pres vitin që kam përpara, me shumë ngjarje pozitive. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme.”
Gjatë vizitës në spital, Kate takoi pacientë dhe stafin dhe u njoftua se ajo do të bëhet mbrojtëse e njësisë speciale të onkologjisë së spitalit Royal Marsden, së bashku me princin William. Në një bisedë me një paciente, Kate pranoi se ndikimi i sëmundjes mbi familjen e saj kishte qenë “shumë i vështirë.”
“Dua të falënderoj spitalin Royal Marsden për kujdesin e jashtëzakonshëm që më dha gjatë vitit të kaluar,” shkroi ajo në platformën X, duke shprehur mirënjohjen e saj ndaj të gjithë atyre që qëndruan pranë saj dhe William-it gjatë kësaj periudhe të vështirë.
William e përshkroi vitin e kaluar si “brutal,” pasi edhe babai i tij, mbreti Charles, po trajtohej për kancer. Sipas burimeve nga Pallati Buckingham, trajtimi i mbretit po ecën pozitivisht dhe do të vazhdojë edhe këtë vit.